NJË KALA, QË MË BËN TË MENDOJ
Nga Luan Çipi
Për origjinën e lashtë meditoj me respekt,
Madhështia e një Kalaje më mrekullon.
Edhe pse kam lindur në Vlorë, në bregdet,
Gjirokastra e gurtë, nga gjumi më zgjon.
Të jetë Argjiroja e ëndrrave, që më shfaqet me natë
Dhe më thërret e përmalluar në “Qafë të Pazarit”,
Të përshëndes Bajon e ditur dhe Çerçizin flokë gjatë
Apo, të sodis mustaqet gjer në vesh, të Çelo Picarit?
Gjigand më fanitet në Muze Gjin Bue Shpata.
Bashkë janë emblema e tij me penën e Kadaresë,
Aty pranë shoh librat diturore në rafte të gjata
Të Çabejit, Nexhatit, Agim Shehut dhe të Musinesë.
Aty janë, dorë shtrënguar, Frashërlinjtë dhe Anton Zako,
Vedat Kokona, Xhevat Kallajxhiu dhe Branko Merxhani,
Enver Hoxha, Bedri Spahiu, Baba Selimi, dhe Hito Çako,
Avniu, Lamja, Shemshiu, Adil Çarçani dhe Omer Nishani.
Idetë e besimet i kishin deri kontradiktore,
Po arsim e kulturë sollën e mbartën në të katër anët
Dhe pse u ndanë e u vranë në Luftën e Dytë Botërore
Kur, ca u bënë me Sllavët, të tjerët me Angloamerikanët.
Po, Shqipërinë e deshën tej e tej, të begatë dhe të madhe
Dhe për të u përpoqën me pushkë, me kazmë e me penë,
E çliruan, i lëvruan gjuhën dhe tokën, i qanë derte e halle
Aty ku ishin: djathtas a majtas, me Zotin, apo pa fenë.
Kjo Kala e Madhe, nga rrebeshet s’tundet,
Gjëmon, me këngë e valle, burgu dhe mburoja,
Model për shqiptarin, që s’lodhet e s’mundet,
Në flijim themelesh: Bulja dhe Argjiroja.
Vlorë, më 15.10.2013
ME DRITERO AGOLLIN
Nga Luan Çipi
Më shfaqet çdo ditë Dritero Agolli:
Thesare të rrallë, nga thellësitë nxjerrë,
Nderon mëmëdheun, baltën nga Devolli,
Ky poet i shquar, mendimtar me vlerë.
Tituj librash, poezi, lexoj në dhjetëra kapakë:
“Në Rrugë dola”, “Me hapat në asfalt” shkelur,
“Devoll, Devoll”, buhisje toke vlagë,
Te “Shtigje Malesh …”, gjen vargje të zgjedhur..
Në “Mesditë” takon “Baballarët” e “Nënës Shqipëri”
Kjo “Fjala gdhend gurin”, kur “Udhëtoj i menduar”
Dhe raftet, mbushur libra, të ndjellin kërshëri:
“Lypsi i Kohës”, më tej “Pelegrini i vonuar”.
Mbushem me gëzim, dashuri e shpresë
Bëhem optimist, nga fryma Naimiane
Edhe pse i moshuar, nuk mendoj të vdes
Frymëzimi nga Bernsi, rrënja Lasgushiane.
Nuk më lë Agolli, tendosur më mban,
Më shtyn që të ndreqem të ngelem pa huqe,
Të adhurojmë tokën, nënën dhe babanë,
Armët t’i shkatërrojmë, t’i kthejmë në plugje,
Ta gëzojmë çastin me miq e me shokë,
Të hamë e të pimë, ta shijojmë jetën,
Ta duam Atdheun, ta kemi mbi kokë,
Të themi, guximshëm, vetëm të vërtetën.
E, si mos ta duash Driteroin tonë,
Ta lexosh për ditë dhe ta adhurosh?
Në çdo faqe libri dituri bulon.
Kushtoji pak kohë, botën të fitosh!
Tiranë, më 18.01.2012
NË GOZHDË VARENI DYFEKUN!
Nga Luan Çipi
Disa, shpesh llapin e shajnë,
Pështyjnë, jargaviten, vjellin,
Të bardhën, sterrë e bajnë,
Zjarrin, bash në prag e sjellin.
Ca të majtë e ca të djathtë,
Përkrahin Turkun, a Grekun.
Unë u them: Pushoni, mjaft!
Në gozhdë vareni dyfekun!
Rrini larg nga djalli sherr,
Ku vëllai i hakërrehet motrës,
Jeni një bark e një derë,
Pse bëheni gazi i botës.
Mos u kapni kot për lesh,
Urtë e butë kuvendoni,
Këmbëkryq, merruni vesh,
Nga historia mësoni!
Ndaj u zgjodhët deputet
Ligje për të bërë, së toku,
Pa ndarje, sharje që vret,
Me besë e respekt te shoku.
Po u them, si i pa anë,
Lërini “Ishët” mënjanë!
Se ç’bënë, të gjithë i panë:
Rrugë hapën, tej e ndanë.
Tani na duhet punësim,
Qeveri, që fort drejton,
Shlyerje borxhesh, mirëkuptim,
Ecuri pa korrupsion!
Vlorë, 10.10,2013
ROBERT NDRENIKËS!
Artist i Popullit
Kush është krenaria juaj? Opinioni nuk është bindur:
Vunoi, në breg të detit, apo vendi ku ke lindur?
Thonë, në Tiranë prindërit, erdhën nga ky fshat me emër.
Artisti Robert Ndrenika, dy vendlindje mban në zemër.
Kudo, ku ka milituar: pedagog apo drejtor,
Ku është lodhur e munduar: deputet, apo aktor,
Ky Robert Ndrenika ynë e ka thurur një kurorë
I dashur, i drejtë, i ndershëm, shoqëror e njerëzor.
Mbi njëqind role të para në drama e komedi,
Ne përherë të admironim me më shumë kërshëri,
Në dyzet filma ikonë, demonstrove mjeshtëri,
Si pjesëtar në çdo familja, kudo ngjizje dashuri.
Nuk harrohet “Koz Dynjaja”, “Prefekti” dhe“Filimoni”,
Rizai, Gjoni dhe Sokrati, postieri gazmor Agush,
Shekspirin ngrite nga vari, na mrekulloi Harpagoni
Zenuni edhe Vangjeli, Ti, talent që sallat mbush!
I shpallur “Mjeshtër i Madh” me meritë “Nder i Kombit”,
Ke hyrë thellë në çdo vatër, ke mëkuar gaz e shpresë,
Toskë e Gegë, Çamë, Kosovarë, me zemër i luten Zotit:
Jetë të gjatë, role të para, lavdia me ty të mbesë!
Vlorë, më 15.09.2013
POETI JANAQ PANI
Nga Luan Çipi
Qeparotasit kapedanë
Të rrallë shokët i kanë:
Hap kompjuterin, në çdo anë,
Janaq Pani, më rri pranë,
Tej nga Toronto e largët,
Ku e hodhi emigrimi,
Në eter na i nis vargjet
Nuk i shteret frymëzimi.
E shoh, bregut të Ontarios,
Më duket si në Gjivlash,
Përmbi Torën e Torontos,
Si në majë të Llogorasë.
E mendoj mes nesh në Vlorë
Krijon, shkruan e vargëzon,
Flokët mbuluar me borë,
Gjeolog, që veç gërmon.
Njëzetë libra për fëmijë
Mbushur gjëegjëzë, përrallë,
Midis nesh sërish do vijë
“Gjyshi Ketër” me shumë mall:
Porosi, busull për jetën,
Thëngjij të ngrohtë të vatrës,
Pohime për të vërtetën
Janë rrufe, që shkrepin natës.
Balada, fabula e këngë
Pushtojnë kodrat me ullinj,
Bregdetit, shpella e mëngë:
“Tufza me lule”, njëmijë
Janë këshilla me moral
Për “një mik që njoha unë”
Që zemrën ta bëjnë mal,
“Yll mes yjesh” dritë shumë.
SHËNIM:
Midis thonjëzash – tituj librash të autorit
Vlorë, më 10.05.2013
SHQIPONJA E SAZANIT
nga Luan Çipi
Është 7 prilli, mos e harroni
Një ditë e mbrapshtë, e zezë pis,
Kur mbreti Zog na tradhtoi.
Me ar e gjind, u arratis.
Erdhi fashizmi dhe na pushtoi
Dhe proklamoi perandori.
Mijëra ushtarë Duçja dërgoi
Dhe, makarona e demagogji.
Populli u ngrit, kudo luftohet
Kundër pushtuesve pa kompromis,
Atdheu i shtrenjtë krejt çlirohet,
I pastër frynë flladi i lirisë.
Po ja, sërish, i shenjti idhull
Qyteza e Sazanit, është robëruar.
Simboli i shqipes, i vetmi ishull,
Prapë nga të huajt ri patrulluar.
Për ju parti, për ju shtetarë
Një lutje britmë, ju parashtroj:
Hiqni të huajt, vini Shqiptarë
Vetëm shqiponja të fluturojë!
7 prill 2013
NIKOLASI, PIANISTI SHTATË VJEÇAR
Nga Luan Çipi
.
Sot u ngrita herët, Zoti e bëri mbarë,
Meditimi u tret larg në Amerikë,
Mu kujtua nipi, Niku shtatëvjeçar,
Një melodi labe më mbiu në grykë:
Belbëzoja ngjirur, këngën kisha marrë,
Pas dëgjova gruan, ëmbël po ia kthente:
“Nikolasi ynë sot është shtatë vjeçar!”
Labçja edhe pa iso, simfoni më vete.
Bir shqiptarësh, prindërit mjek të dy,
Gjak nga gjaku ynë, në fis e në farë,
Lindja në Amerikë, tjetër kënaqësi,
Nikolasi ynë, qindpërqind Shqiptar.
E gatis kompjuterin, një video dëgjoj
Nipi im i dashur në piano po luan,
Në sfond qindra libra në rafte shikoj
Kryefund nga Niku shpesh u rilexuan.
Bethoveni i madh më ushton në vesh
Nipin tim të vogël, s’gjen vend ku ta vësh,
Fati i Amerikës na u bë peshqesh,
Me elektronikën, bota u bë njësh.
Sërish meditoj i entuziazmuar:
Kthehen mërgimtarët me djemtë e ditur,
Atdheu ynë, nga Zoti i bekuar,
Siç e duam ne, ka për t’u rilindur!
Vlorë, më 28 Prill 2013
MIDIS DASHURISH
Nga Luan Çipi
Si trup – në Tiranë, si mendim – në Vlorë.
Kur vete në Vlorë, mendoj për Tiranë.
Po pse është dyzuar mendja ime e gjorë.
Erdhi pleqëria, që vendi s’më mban?
Kjo, është e vërtetë, këtë dot se fsheh
Po, kështu jam ndjerë dhe vite më parë:
Vlora më mahnit, Tirana më deh,
Se Vlorën e kam dashurinë e parë.
Edhe në Tiranë, në kryeqytet
Kalova shumë vite, thuajse një jetë
Atje nxënës isha, atje qesh student,
Kalova dhe vitet e moshës së tretë.
Atje gjeta miq, atje zura shokë
U lodha, u çlodha, flokët mu përborën,
Po s’u gënjej, vëllezër, u bëj be për kokë,
E dua Tiranën, po jo aq’ sa Vlorën.
Tirana e madhe, xhamia-sahati,
Kuvend, qeveri, pinjollët e mbretit
Operë e teatër, bulevardi, Dajti
Po, Vlora seç ka, madhështinë e detit.
Në Tiranë koncerte, kinema, balet
Vërtet të çuditin dhe të mrekullojnë
Po, kur në Vlorë zhytet dielli në det,
Krishti e Muhameti dalin ta shikojnë.
Bukuri e virgjër, bukuri e rrallë
Mal, kodër e det dhe Vlora në mes
Kurora ullinjsh, limonë, portokall.
Lum unë, ku kam lindur, s’më bëhet të vdes.
Tiranë, më 05.03.2010
MENDIMET E NJË PLAKU
JETOJE TË SOTMEN
Nga Luan Çipi
Kanë folur e shkruar filozofë e poet,
Këtu e kudo, ku bota ka jetë,
Nga shtetet e lashtë: Greqia, Persia
Nga Egjipti, Roma, Kina dhe Rusia.
Ndër vite flitet për nocionet botërore:
Liri, barazi, drejtësi, vëllazëri,
Gjithnjë është nxënë në librat shkollore
Për ligje e norma në shtet e shoqëri.
Ndaj rrojmë dhe sot, të lirë, pa frikë,
Të pa ndarë në ngjyrë, në racë e në shtresë,
Në Evropë, Afrikë, Azi, Amerikë,
Si miq të mirë me fjalë e me besë.
Natyrën gëzojmë si krijim të përsosur,
Të thurur nga dashuria eprore,
Po përjetësia, nuk është e pasosur:
Siç lind edhe vdes krijesa njerëzore.
Kjo do kujtuar për ditë e për natë,
Në luftë me të keqen, lakminë e pafund:
Jetoje të sotmen, se nuk është aq e gjatë,
Ndihmo nevojtarin, sa rron e sa mund!
Vlorë, 07.04.2010
GJINDJA
nga Luan Çipi
Nënë dhe babë,
Vëlla dhe motër,
Vajzë dhe djalë.
Më tej: lum e det,
Fushë, breg e mal.
Të parët – histori
E bërë në mot e jetë.
Të fundit – gjeografi,
Ndryshohet, fare lehtë.
Shokë, gjen nëpër botë
Dhe koha të jep miq,
Që venë e vijnë edhe kot,
Kur shportën ke me fiq.
Ata, zgjidhi një fije,
Ndër njerëzit më me vlerë,
Me prestigj, emër e dije,
Nga ty, më shumë të ndjerë.
Po, mbi çdo gjë në jetë
Ngrohtësi të jep bashkëshorti.
Dhuratë, dhe fat vërtetë,
Ai, Ti dhe… Zoti.
26.09.09